

Rreth
YoUNG SKILLS
Ne jemi Matura 2019 e gjimnazit Don Bosko,Tiranë. Ne kuadër të programit Junior Achievement, kemi menduar krijimin e “Young Skills ”.
Kinematografi : Prodhim filmi
Young Skills ka realizuar “Ana tjetër” ,një film me metrazh të shkurtër që trajton një temë sociale, atë të gjakmarrjes.
Pse film?
Arsyeja pse zgjodhëm të prodhonim një film është sepse besojmë plotësisht që ndryshimet më të mëdha qoftë në jetën e një individi apo dhe të një shoqërie të tërë, vijnë vetëm nëpërmjet artit dhe këtë bëmë dhe ne me filmin tonë “Ana tjetër”.
Pse gjakmarrja ?
Sot kur trajtimi i çështjeve sociale nga të rinjtë rrallë herë merr një rëndësi të veçantë, ne si “Young Skills” donim pikërisht të trajtonim ato çështje sociale, të cilat e dëmtojnë shumë shoqërinë tonë. Zgjodhëm temën e gjakmarrjes, pasi ky fenomen vazhdon të ekzistojë dhe në shekullin e 21 në vendin tonë duke shkaktuar pasoja shumë të rënda te individët, familjet dhe shoqërinë që prek.
Magjia e të qenurit presidente e Young Skills
Unë jam Sara Hoxha, maturante në shkollën Don Bosko, si dhe presidente e biznesit Young Skills që kemi krijuar në kuadër të programit Junior Achievement.
Që në momentin që me vullnetin e plotë të klasës sime, u zgjodha presidente, e dija se më priste një punë e përgjegjësi e madhe. Bashkë me klasën, ne vendosëm të ishim aktorë, kameranë, regjisorë vetëm e vetëm për të arritur qëllimin tonë : krijimin dhe realizimin e një filmi. Të prodhosh një film nga asgjëja është një iniciativë shumë e madhe, dhe për këtë isha koshiente që në fillim. Megjithatë, kjo nuk më frikësoi aspak, përkundrazi më motivoi që të punoja gjithnjë e më shumë.

E veçanta e eksperiencës që më ofroi “Ana tjetër”, filmi ynë, ishte bashkimi i artit dhe biznesit në diçka të vetme. Kështu u bëra pjesë e botës së artit dhe kinematografisë, të bukurës dhe shpirtërores duke qënë gjithnjë e përfshirë në botën e sipërmarrjes dhe të biznesit. Për të kryer detyrën time, janë dashur shumë netë pa gjumë, ditë të tëra duke punuar, duke bërë takime e duke marrë vendime të rëndësishme për shoqërinë tonë.
Mund të them pa frikë se ka qënë një nga përvojat më impenjuese, por padyshim më magjikja e këtyre tre viteve në Don Bosko. Pata fatin të jem në krye të këtij projekti kaq kuptimplotë dhe të arrirë, që do të mbetet në mendjen time dhe të gjithë atyre që do ta shohin atë.
Si çdo biznes, kemi hasur vështirësi dhe si lidere e këtij grupi më është dashur të marr vendime që s’kanë qënë të lehta e të përballem me situate të panjohura për mua. Megjithatë, këto përvoja më bënë një person më të fortë e më të aftë për tu përballur me botën reale më pret. Ambicia dhe dëshira për të krijuar diçka të bukur e të paharrueshme ishin dy motivet kryesore që më kanë bërë të ec përpara në këtë rrugëtim të gjatë e të lodhshëm. Pikësynimi që i kisha vënë vetes për ta realizuar me sukses filmin tonë më ka dhënë gjithnjë forcë e kurajo për t’u ngritur sa herë që jam rrëzuar e për ta mbajtur kokën gjithnjë lart.
Sigurisht, ky realizim me sukses i biznesit tonë nuk do të kishte qënë i mundur pa ndihmën e shumë njerëzve. Dua të falenderoj Don Benin dhe shkollën tonë Don Bosko për mbështetjen e vazhdueshme, zysh Orin për faktin që na ka qëndruar pranë në çdo moment, mentoren e JA Edlira Mali për këshillat e saj si dhe grupin tonë Young Skills për punën e palodhur që kanë bërë në këto 8 muaj intensivë.
“Ana tjetër” shënon vetëm fillimin e një epoke të re kur të rinjtë shqiptarë marrin përsipër të bëjnë ndryshime të mëdha, ndaj mos e humbisni pa e parë !
*Ky shkrim u publikua për herë të parë në revistën e përvitshme "Të rinjtë e Don Boskos" 2019.
Ç’thonë për ne?
"Kishit realizuar një magji !"
ROBERT BUDINA
Regjisor
"Kjo është “Ana tjetër”, e të ardhmes që duam…"
SUELA BAKO
Regjisore
“Maturantët e Don Boskos bëjnë kinema !
Bravo për të gjithë !”
BUJAR ALIMANI
Regjisor
